Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomi


Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomi
pyetje dhe përgjigje nga mikroekonomia.
1. Cka studion ekonomiksi?
Ekonomiksi studion anën ekonomike të jetës shoqërore, sjelljen e agjentëve ekonomikë në shoqëri dhe kushtet ekonomike të bashkëveprimit të tyre.
Ekonomiksi përgjithësisht përcaktohet si shkenca që studion alokimin e burimeve të kufizuara ndaj nevojave konkurruese, të pakufizuara.
2. Kush paraqitet si agjent ekonomikë?
Në rolin e agjentëve ekonomikë ose vendimmarrësve, sikurse quhen ndryshe, paraqiten individët (ose familjet), firmat dhe qeveria.
3. Si paraqiten individët ose familjet?
Individët ose familjet paraqiten si agjentë ekonomikë para se gjithash në rolin e tyre si zotërues burimesh dhe si konsumatorë.
4. Çka është firma?
Firmë quhet çdo organizatë që prodhon mallra ose shërbime.
5. Çka përfaqëson qeveria?
Qeveria (shteti) përfaqëson një agjent ekonomik, pra një vendimmarrës në fushën ekonomike, në rolin e saj si krijuese dhe mbikqyrëse e rregullave të lojës ekonomike, në rolin e saj si prodhuese e drejtëpërdrejtë mallrash dhe shërbimesh, si dhe në të gjitha funksionet e tjera ekonomike që i realizon përmes politikave të saj ndërhyrëse në ekonomi.
6. Çfarë qëllimesh ka qeveria kur ndërhyn në ekonomi?
Qeveria me ndërhyrjen e saj në ekonomi ka qëllim që përmes politikave të saj qeveritare të sjellë në ekuilibër ekonominë e një vendi; rritjen e prodhimit në kushte të një aktiviteti të dobët ekonomik apo në uljen e tij në periudhat e inflacionit kërcënues.
7. Cilat janë konceptet e Ekonomiksit?
Konceptet e Ekonomiksit janë konceptet pasuri dhe mirëqënie.
8. Çka paraqet pasuria?
Pasuria e një vendi përbëhet nga stoku i tij i mallrave dhe shërbimeve dhe arrihet duke bërë shfrytëzimin racional të burimeve ekzistuese në atë vend.
9. Çka paraqet mirëqënia?
Mirëqënia i referohet kënaqësisë që një individ apo shoqëria nxjerrin nga konsumi i pasurisë.
10. Cilat janë konceptet që lidhen me konceptin e mirëqënies?
Koncepti i mirëqënies lidhet me konceptet efiçencë dhe drejtësi.
11. Çka paraqet efiçenca?
Efiçenca ka të bëjë me nxjerrjen e një dobie ose kënaqësie maksimale të mundshme nga përdorimi i burimeve ekonomike.
12. Çka paraqet drejtësia?
Drejtësia lidhet me shpërndarjen e drejtë të mallrave dhe shërbimeve midis grupeve të ndryshme shoqërore dhe individëve.
13. A është e kufizuar sasia dhe llojshmëria e mallrave dhe shërbimeve?
Po, sasia dhe llojshmëria e mallrave dhe shërbimeve është e kufizuar.
14. Cilët janë faktorët kryesorë që kufizojnë sasinë e mallrave dhe shërbimeve?
Faktorët kryesorë që ndikojnë në kufizimin e mallrave dhe shërbimeve janë: sasia e burimeve ekonomike në dispozicion dhe gjendja e teknologjisë.
15. Në sa grupe kryesore klasifikohen burimet dhe cilat janë ato?
Burimet, ose faktorët e prodhimit sikurse quhen ndryshe, ndahen në tri grupe kryesore dhe ato janë: puna, toka dhe kapitali.
16. Çka paraqet puna?
Puna përfshin aftësinë mendore dhe fizike të njerëzve për të punuar.
17. Çka paraqet toka?
Toka përfshin pasuritë natyrore të të gjitha llojeve, siç janë toka bujqësore, toka si truall ndërtimi, burimet e energjisë, burimet minerale dhe i gjithë mjedisi fizik që na rrethon.
18. Çka paraqet kapitali?
Kapitali përbëhet nga mallrat e prodhuara me qëllim për të prodhuar mallrat e tjerë. Me kapital, nga pikëpamja ekonomike, kuptojmë vetëm kapitalin fizik, jo kapitalin financiar. Elementet kryesore të kapitalit janë pajisjet dhe makineritë, ndërtesat, inventari, etj.
19. Cili është klasifikimi i katërt i faktorëve të prodhimit?
Klasifikimi i katërt i faktorëve të prodhimit është aftësia sipërmarrëse.
20. Çka paraqet aftësia sipërmarrëse?
Aftësia sipërmarrëse i referohet talentit të veçantë që kanë disa njerëz për organizimin e burimeve të tjera ekonomike, si puna, toka dhe kapitali në procesin e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve, për kërkimin e mundësive të reja për biznes si dhe për zhvillimin e metodave të reja të prodhimit.
21. Sipas cilave parime lidhen faktorët e prodhimit në procesin e prodhimit?
Faktorët e prodhimit lidhen në procesin e prodhimit sipas parimeve të caktuara teknologjike.

22. Çka paraqet teknologjia?
Teknologjia i referohet tërësisë së aftësive dhe njohurive shkencore që lidhen me përdorimin e inputeve (faktorëve të prodhimit) në procesin e prodhimit.

23. Si lind dukuria e rrallësisë së mallrave dhe shërbimeve?
Sasia e burimeve, pra fakorëve të prodhimit për një ekonomi, në një kohë të dhënë është e kufizuar. Këtej lind dukuria e rrallësisë së mallrave dhe shërbimeve.

24. Çka shpall ligji i rrallësisë?
Ligji i rrallësisë shpall se mallrat dhe shërbimet janë të rrallë, të pamjaftueshëm, sepse të pamjaftueshëm janë edhe burimet për prodhimin e tyre sipas nevojave të njerëzve për konsum.
25. Çka lidhet me ligjin e rrallësisë?
Me ligjin e rrallësisë lidhet domosdoshmëria e zgjedhjes midis mallrave dhe shërbimeve që duhen prodhuar. Pra, zgjedhja është pasojë e rrallësisë.

26. Cili është problemi kryesor ekonomik?
Problemi i alokimit të burimeve të kufizuara midis nevojave konkurruese e faktikisht të pakufizuara të shoqërisë, përbën problemin ekonomik kryesor të çdo shoqërie.

27. Cilat janë pyetjet kryesore të problemeve ekonomike?
Tri pyetjet kryesore ekonomike janë: çfarë të prodhohet, si të prodhohet dhe për kë të prodhohet.

28. Çka studion mikroekonomia?
Mikroekonomia merret me studimin e sjelljes së agjentëve ekonomikë: konsumatorëve, firmave të biznesit si dhe të agjensive qeveritare në masën që veprimtaria e tyre lidhet me alokimin e burimeve dhe funksionimin e sektorëve të veçantë të ekonomisë. Në qendër të studimit të Mikroekonomisë pra janë tregjet e mallrave apo shërbimeve të veçanta dhe kushtet e ekuilibrit të tyre.

29. Si ilustrohet problemi ekonomik themelor?
Problemi ekonomik themelor i një shoqërie mund të ilustrohet me anë të kufirit të mundësive të prodhimit.

30. Çka paraqet kufiri i mundësive të prodhimit?
Kufiri i mundësive të prodhimit shpreh kombinime të ndryshme të mallrave dhe shërbimeve që mund të prodhojë një vend gjatë një periudhe të dhënë kohe, duke përdorur të gjitha burimet në dispozicion dhe me teknikat më efiçente të prodhimit.

31. Çka quhet rritje ekonomike?
Zgjerimi i qëndrueshëm i mundësive të prodhimit quhet rritje ekonomike. Rritja ekonomike kushtëzohet nga rritja e burimeve, d.m.th. e tokës, e kapitalit dhe e punës, ose nga përmirësimi cilësor i tyre.

32. Çka kuptojmë me produktivitet?
Me produktivitet kuptojmë sasinë e produktit të prodhuar për njësi të inputeve të pëdorura.

33. Çka kuptojmë me efiçencë ekonomike?
Me efiçencë ekonomike do të kuptojmë atë gjendje të ekonomisë, në të cilën askush nuk mund të rritë mirëqënien e tij pa cënuar mirëqënien e dikujt tjetër.

34. Çka paraqet efiçenca prodhuese?
Efiçenca prodhuese nënkupton prodhimin e një sasie të dhënë produkti me minimumin e burimeve.

35. Çka paraqet efiçenca alokative?
Efiçenca alokative nënkupton që burimet të jenë alokuar në prodhimin e atyre mallrave dhe shërbimeve që kërkon shoqëria.

36. Çka paraqet efiçenca në shpërndarje?
Efiçenca në shpërndarje nënkupton një shpërndarje të produktit të prodhuar, në të cilën konsumatorët, duke i marrë të dhëna të ardhurat dhe çmimet e tregut, nuk do të dëshironin t’i shpenzonin këto të ardhura në ndonjë mënyrë tjetër.

37. Paraqite një shembull të kufirit të mundësive të prodhimit?
Supozojmë se një vend prodhon vetëm dy mallra, ushqime dhe stofra. Në boshtin horizontal është vendosur sasia e stofrave të prodhuara, ndërsa në boshtin vertikal sasia e ushqimeve. Nëse të gjitha burimet e ekonomisë do të përdoreshin për prodhimin e ushqimeve, sasia e ushqimeve të prodhuara në vit do të ishte 15 mijë tonë, ndërsa sasia e stofrave të prodhuara do të ishte zero.
Mundësitë Stofra (milionë ml) Ushqime (mijë tone)
A 0 15
B 1 14.7
C 2 14
D 3 12
E 4 9
F 5 0

Nëse vendosim të prodhojmë 1 milionë ml stofra, kjo arrihet vetëm duke tranferuar një pjesë të burimeve nga prodhimi i ushqimeve në prodhimin e stofrave. Në këtë rast, sipas tabelës, prodhimi i ushqimit do të ulej nga 15 mijë tonë në 14.7 mijë tonë.
Vija AF, që bashkon pikat ABCDEF dhe të gjitha pikat e ndërmjetme quhet kurba e kufirit të mundësive të prodhimit. Cdo pikë që ndodhet brenda vijës së kufirit të mundësive të prodhimit, siç është rasti i pikes M, tregon se burimet nuk përdoren plotësisht dhe quhen pika të padëshirueshme. Cdo pikë jashtë kufirit të mundësive të prodhimit, siç është rasti i pikes N, tregon kombinime të paarritshme me sasinë e dhënë të burimeve. Pikat në vijën e mundësive të prodhimit, siç janë pikat ABC, etj., nënkuptojnë përdorim maksimal të kapaciteteve prodhuese.

38. Pasqyro nivelin e konsumit dhe investimeve!
Në periudha afatgjata rritja e prodhimit të mallrave krijon mundësi për rritjen e konsumit, nëpërmjet zhvendosjes djathtas të kufirit të mundësive të prodhimit. Në figurën A paraqitet niveli i konsumit dhe investimeve neto të tre vendeve, për të cilat supozohet se kanë të njëjtin kufi të mundësive të prodhimit. Vendi 1 prodhon në pikën A1, pra ai nuk kryen asnjë investim. Vendi 2 heq dorë nga një sasi konsumi për të siguruar një nivel investimesh dhe prodhon në pikën A2. Vendi 3 prodhon në pikën A3, që paraqet një nivel më të vogël konsumi për një nivel më të lartë investimesh.
Në figurën B paraqitet niveli i konsumit dhe investimeve neto të tre vendeve pas një periudhe disa vjeçare. Rritja e kapitalit për vendin 2 dhe 3 u ka lejuar atyre që të zgjerojnë mundësitë e prodhimit, duke rritur nivelin e konsumit dhe të investimeve. Vendi 1 ka mbetur në të njëjtën kurbë të mundësive të prodhimit dhe nivel konsumi.

39. Si është tregu në vendet e mbyllura ekonomikisht?
Në vendet e mbyllura ekonomikisht niveli i konsumit është i përcaktuar tërësisht nga niveli i prodhimit, nuk mund të konsumohet më shumë se që prodhohet.

40. Si është tregu në vendet e hapura ekonomikisht?
Në vendet e hapura ekonomikisht tregu është i hapur, konsumatorët e atij vendi mund të konsumojnë edhe mallra apo shërbime të prodhuara nga vendet tjera.
41. Si përfiton një vend?
Një vend përfiton duke importuar mallra apo shërbime që prodhohen me kosto të lartë brenda vendit në shkëmbim të mallrave apo shërbimeve që prodhohen me kosto të ulët brenda vendit.

42. Çka kuptojmë me specializim?
Me specializim do të kuptojmë përqendrimin në prodhim vetëm të një produkti apo të disa produkteve.

43. Çka paraqet kostoja oportune?
Rrallësia e burimeve dhe domosdoshmëria e zgjedhjes paraqet koston oportune. Në rast të burimeve të kufizuara njerëzit janë të detyruar të zgjedhin midis alternativave të ndryshme; pra zgjedhja gjithnjë është e shoqëruar me kosto oportune. Si shembulli i ushqimeve e stofrave. Nëse jemi në kufirin e mundësive të prodhimit, nuk mund të rritet prodhimi i njërit mall, pa pakësuar prodhimin e mallit tjetër. Pikërisht sasia për të cilën hiqet dorë paraqet koston oportune të prodhimit.

44. Çka shërben për matjen e kostove oportune?
Për matjen e kostove oportune shërben kurba e kufirit të mundësive të prodhimit
Raporti OA/OB tregon se nga sa njësi ushqimesh duhet hequr dorë për të prodhuar një njësi shtesë stofra. Pra, raporti OA/OB, dmth. pjerrësia e drejtëzës AB, që shërben si kufi i mundësive të prodhimit, mat koston oportune të prodhimit të një njësie shtesë stofrash. Është e kuptueshme që raporti i anasjelltë OB/OA, do të maste koston oportune të prodhimit të një njësie shtesë ushqimesh.

45. Çka paraqet norma marxhinale e transformimit (MRT)?
Në kushtet kur ekonomia prodhon në kufurin e mundësive të saj të prodhimit, psh. të stofrave, do të kërkonte që një pjesë e burimeve të kalonte nga prodhimi i ushqimeve në prodhimin e stofrave. Në këto kushte, vija KMP shërben edhe për të shprehur normën marxhinale të transformimit (MRT).

46. Çka mat pjerrësia e vijës KMP?
Pjerrësia e vijës KMP mat koston oportune dhe normën marxhinale të transformimit.

47. Çka paraqet ligji i kostove oportune rritëse?
Sipas ligjit të kostove oportune rritëse, për të prodhuar më shumë njësi nga një mall i caktuar në një periudhë të dhënë kohe, shoqëria duhet të heq dorë nga një sasi gjithnjë e më e madhe mallrash të tjerë.

48. Çka paraqet rrallësia?
Rrallësia shprehet në faktin se pikat jashtë KMP nuk mund të arrihen.

49. Çka shpreh zgjedhja?
Zgjedhja shprehet në kombinimet e ndryshme në vijën e KMP.

50. Kush përcakton çfarë të prodhohet, si të prodhohet dhe për kë të prodhohet?
Qeveria, shteti përcakton se çfarë të prodhohet, si të prodhohet dhe për kë të prodhohet.

51. Çka paraqet mekanizmi i tregut?
Mekanizimi i tregut paraqet një metodë të alokimit të burimeve, pra të përcaktimit të llojit dhe sasisë së mallrave dhe shërbimeve të prodhuara, mënyrës së prodhimit dhe shpërndarjes së tyre, duke u bazuar në zgjedhjet individuale të koordinuara përmes tregut.
52. Çka paraqet tregu?
Tregu paraqet një marrëveshje bashkëveprimi midis blerësve dhe shitësve të një malli për përcaktimin e çmimit dhe sasisë së tregtuar të tij.

53. Çka janë çmimet?
Cmimet janë bartëse informacioni për agjentët ekonomikë, përçuese të sinjaleve të tregut te individët, firma apo qeveria.

54. Çka paraqet ekonomia e tregut?
Ekonomia e tregut nënkupton pavarësine e agjentëve ekonomikë, aftësinë e tyre për të vendosur në mënyrë të pavarur mbi veprimtarinë e tyre ekonomike.

55. Çka është ekonomia e tregut të lirë?
Ekonomitë e vendeve që hapen ndaj njëra tjetrës lidhur me shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve paraqesin ekonominë e tregut të lirë.

56. Çka e bën mallin në treg konkurrent?
Minimizimi i kostove për prodhimin e atij malli duke përdorur metoda më efiçiente për prodhimin e tij e bën konkurrent mallin në treg.

57. Pse janë të rëndësishme informatat e shitësve dhe të blerësve? Kujt i interesojnë ato?
Informatat e shitësve dhe blerësve janë të rëndësishme për të perfeksionuar parashikimet në lidhje me çmimet dhe sasitë e produkteve dhe shërbimeve në treg, për të cilat tregu shkon në ekuilibër.
Këto informata i interesojnë subjekteve ekonomike si individëve, firmave, qeverisë – pra agjentëve ekonomikë.

58. Cka paraqet sipërmarrja e lirë?
Sipërmarrja e lirë nënkupton pronën private mbi faktorët e prodhimit.

59. Si dhe ku zgjidhet qështja se çfarë të prodhohet?
Qështja “çfarë’ të prodhohet zgjidhet në tregun e produkteve, nëpërmjet votimit të përditshëm të konsumatorëve. Kjo varet nga zgjedhjet e konsumtoarëve dhe vendimet e prodhuesve.

60. Si zgjidhet qështja se si të prodhohet?
Qështja ‘si’ të prodhohet zgjidhet nga konkurrenca midis prodhuesve.

No comments: