TË LEXUARIT AKADEMIK-2

SHKRIM AKADEMIK

TË LEXUARIT AKADEMIK

-Për të bërë një shkrim të një fushe të caktuar, duhen lexuar sa më shumë shkrimet ë ngjashme, kurse nëse doni të shkruani një plan biznesi të suksesshëm, duhet të lexoni sa më shumë plane të tilla dhe t’i lexoni me sy kritikë, duke i kushtuar vëmendje zgjedhjeve që kanë bërë autorët e duke vlerësuar gjuhën dhe metodën.
-njëra nga format për të përmirësuar shkrimin tuaj është mbledhja dhe ruajtja e shkrimeve të mira, paragrafëve apo fjalive të shkëlqyeshme, të cilat ndihmojnë të përmirësoni shprehitë tuaja.
-...ndërkaq, duke kaluar  në leximet dhe shkrimet më të komplikuara qoftë në ambiente akademike apo në  karrierën tuaj, do të zbuloni se leximi sa vjen e bëhet një veprim krijues.
-Në këtë rrjedhë prandaj është me rëndësi përdorimi i metodave të caktuara të leximit.
-Disa programe për aftësitë e të mësuarit dhe trajnime për suksesin akademik shpjegojnë një metodë leximi që duhet SQ3R – akronimi është në anglisht dhe i referohet Survey (së:vei), Question (kwestshën), Read (ri:d), Recite (ri’sait), Review (ri’ju:).
Përdorimi i metodës që quhet  SQ3R
- Në fillim përzgjidhet (survey) një kapitull dhe më pas bëhen një sërë pyetjesh (questions) për përmbajtjen ose strukturën e autorit.
- Më pas lexohet (read) materiali, veçanërisht duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve tuaja, rilexohen pikat kryesore (recite) dhe së fundi rishikohen të gjitha pjesët e përzgjedhura.
- Qëllimi i metodës është të mbahen në gatishmëri studentët që të ndihmohen të jenë lexues aktivë dhe jo pasivë. (Klooster & Bloem, 108)


Llojet e leximit - strategjitë

Leximi për informacion
Një pjesë të leximeve që bëjmë çdo ditë na ndihmojnë të kryejmë veprimtari të caktuara. Kjo është punë utilitare, zakonisht jo shumë krijuese, por as edhe shumë e vështirë. Leximi i programit mësimor për të parë lëndët dhe oraret e degës dhe vitit tuaj, apo leximi i manualit të instalimit të një programi në kompjuter janë shembuj të leximit për informacion. (Klooster & Bloem, 109)

Leximi për metodën ose kontekstin
Ndodh që ne të lexojmë nëpër një revistë apo një grup esesh për një temë të caktuar këndvështrimet e ndryshme të autorëve. P. Sh., nëse jemi duke parë një libër të ri me ese kritike mbi veprën e Kadaresë, ne mund t’u hedhim një sy titujve të eseve dhe paragrafëve hyrës dhe kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një vështrim historik, një analizë letrare tradicionale, apo një psikanalizë.  Ne gjithashtu mund të kërkojmë nëpër tekst për fjalë çelës dhe autorë e vepra të tjera që citon apo u referohen shkrimtarët në tekst, si edhe provat e shembujt e përdorur nga ata.

Leximi për argument
Ndonjëherë ne lexojmë duke u fokusuar në një argument të artikullit. Në këtë rast ne lexojmë me vëmendje disa pjesë të artikullit dhe kapërcejmë të tjera. Në varësi të disiplinës, ne mund të lexojmë me kujdes tabelën përmbledhëse, hyrjen dhe përfundimet, dhe t’i kalojmë më shkarazi kapitujt e mesëm. Në shkrimet për shkencat sociale lexohet me vëmendje të veçantë abstrakti dhe pjesa e diskutimit. Qëllimi ynë në këtë rast është të kuptojmë formën e argumentit të autorit, pa u thelluar në shtjellimin dhe mbështetjen e argumentit. (Shih: Klooster & Bloem, 110)

Leximi për vlerat letrare
Kur lexojmë një poezi apo një roman, e lexojmë ndryshe nga gjithë llojet e tjera të veprave të shkruara. Vëmendja kthehet nga gjuha, forma e metaforës, simbolet, fig personazhet. Ndjekim linjën e tregimit me interes dhe ne lexojmë duke përdorur imagjinatën tonë.


Leximi nga ekranet e kompjuterit
Njëri nga llojet e leximit që do ta përdorim gjithnjë e më shumë dhe që kërkon aftësi të veçanta është leximi nga ekranet e kompjuterit. Kur jemi duke punuar në e-mail, duke eksploruar një bankë të dhënash, duke kërkuar një katalog biblioteke on-line, ose duke marrë pjesë në një diskutim virtual, kemi nevojë të dimë se ku të shohim për fjalët çelës, në mënyrë që të organizojmë sasinë e madhe të informacionit që kemi përpara dhe të dimë ku të shohim në ekran për kategoritë e veçanta informacioni e të tjera. Nganjëherë teknologjia na ndihmon duke i theksuar fjalë të veçanta me ngjyra të ndryshme, apo duke krijuar një arkiv me letërkëmbimet, apo duke ofruar opsionin e kërkimit për një togfjalësh të caktuar. (Shih: Klooster & Bloem, 111)

Shembull: model i procesit të leximit
Kur lexojmë për të kuptuar, jo thjesht për informacion, ne përfshihemi në një varg veprimtarish mendore. Këto veprimtari nuk ndodhin detyrimisht njëra pas tjetrës, por mbivendosen dhe përsëriten pa ndonjë rend të përcaktuar.  Lexuesit e mirë kalojnë nga njëra veprimtari te tjetra, herë duke pranuar e herë duke refuzuar atë që thotë shkrimtari. Ai model që ofrojmë këtu është ai që tekstet që do të lexojmë si pjesë të një bisede që zhvillohet në kontekstin shoqëror.  Natyrisht, jo çdo gjë që lexojmë kërkon një përkushtim kaq të madh mendor, por lloji i leximit që ne kemi parasysh është tipik për një akademik që nga fillesat e tij/saj si student e deri në nivelet më të larta të profesoratit. (Shih: Klooster & Bloem, 111)

Leximi i vëmendshëm
Leximi shpesh fillon me përpjekjen për të kuptuar idenë qendrore, ndarjet kryesore të argumentit, funksionin dhe fokusin e pjesës që po lexojmë. Shpesh e shoqërojmë leximin tonë me një laps duke nënvizuar fjalitë që sipas nesh bartin thelbin e shkrimit, nganjëherë fill pas përfundimit të leximit hedhim në letër pikat e planit të veprës dhe kur diskutojmë me dikë rreth asaj që kemi lexuar fillojmë me përmbajtjen për të vërtetuar që e kemi kuptuar drejt atë që thotë shkrimtari.
Artikujt e revistave akademike, sidomos në shkencat natyrore dhe shoqërore, shpesh paraprihen nga një paragraf i shkurtër, por të përmbledhur që quhet abstrakt. Abstrakti na ndihmon të kuptojmë nëse kemi nevojë ta lexojmë gjithë artikullin dhe, nëse e lexojmë, na kursen në kohë duke mos bërë një përmbledhje tonën mbi artikullin. Sigurohuni që i lexoni me shumë kujdes abstraktet, duke kuptuar çdo fjalë, dhe kujtohuni ta rilexoni abstraktin pasi të keni lexuar artikullin për të parë nëse ishte i saktë dhe i përshtatshëm. Nganjëherë ajo që duket si abstrakt, në fakt mund të jetë një hyrje në temë. Leximi për herë të dytë e të tretë mund të përfundojnë të kuptuarin tonë, si edhe t’i vendosim të gjitha pjesët e argumentit në një të tërë kohezive. (Shih: Klooster & Bloem, 112)

Leximi kontekstual
Derisa vazhdojmë të punojmë me një tekst, na shtohet interesi për ta parë atë në kontekstin e disiplinës së vet. Kemi nevojë të shohim se si kjo pjesë u përgjigjet studimeve të mëparshme ose atyre bashkëkohore për të njëjtën temë. Duam të kuptojmë shkollën teorike në të cilën ka punuar autori, si dhe metodën e përdorur prej tyre. Shenjat identifikuese mund t’i gjejmë te lloji i shkrimit: ese reaguese, ese kritike, studime, raport etj. Po ashtu mund të kërkojmë shenja te titulli, te hyrja dhe te përmbledhja teorike që shkrimtari ka bërë dhe kontekstin në të cilin ai ka menduar se futet puna e vet. Nganjëherë shkrimtarët mund t’ju ndihmojnë duke thënë qartë se vepra e tyre është pjesë e X diskutimi në botën akademike, duke iu lehtësuar mjaft punën për gjetjen e kontekstit akademik të shkrimit.
Nga ana e tyre studentët duhet të kërkojnë një kontekst që ka lidhje direkte me lëndën përkatëse duke parë se si ky shkrim lidhet me shkrime të tjera që janë studiuar më parë, si u përgjigjet, shton apo kundërshton atë që është lexuar dhe thënë gjatë semestrit. (Shih: Klooster & Bloem, 112)

Leximi kritik
Derisa lexojmë një tekst të vështirë, vëmendja jonë drejtohet nga procesi i pyetjeve, vlerësimit e bashkëbisedimit me shkrimtarin. Sa më shumë e njohim disiplinën, sa më shumë jemi zhytur në kontekstin e fushës, aq më të aftë jemi për të lexuar në mënyrë kritike. Ne vlerësojmë atë që është shkruar mirë, por në të njëjtën kohë kërkojmë gabimet logjike dhe mospërputhjet në linjën e mendimit dhe të argumentimit. Ne vlerësojmë kontributin e shkrimit në njohuritë dhe të kuptuarit tonë, si edhe në mënyrë imagjinare i vendosim shkrimtarët përballë njëri-tjetrit për të parë se si do t’u përgjigjeshin ideve të njëri-tjetrit. Gjatë këtij procesi ne vendosim nëse do ta pranojmë apo jo argumentin e shkrimtarit ose se si do të mund ta modifikonim ose shtonim argumentin në mënyrë që ta bënim atë më bindës. Ndërsa bëjmë pyetje, mund të rilexojmë tekstin për të parë në mos kemi anashkaluar apo keqkuptuar ndonjë gjë. Një lexues i mirë përpiqet gjatë gjithë kohës të kuptojë si dhe pse shkrimtarët japin argumentet që japin.  (Shih: Klooster & Bloem, 113)

Reagimi pas leximit
Pas të lexuarit kritik, lexuesi shkruan për t’u përgjigjur duke pyetur, duke ndryshuar dhe duke sjellë shembuj e kundërshembuj. Tani është e qartë që lexuesi e kupton materialin. Ai e ka përvetësuar atë tashmë. Lexuesi e përkthen tekstin në terma që janë më të qartë për të, dhe e zbaton në situata ku ai mund të testohet. Lexues të ndryshëm reagojnë në forma të ndryshme. Dallimet reflektojnë aftësitë, interesat dhe qëllimet individuale. Disa lexues mund të përqendrohen në një pjesë të vogël; të tjerë mund të reagojnë ndaj të tërës. Për më tepër, çdo reagim individual formësohet nga situata. E lexojmë ndryshe një libër kur do t’i flasim një mikut tonë në një letër për të, dhe ndryshe kur do të bëjmë një analizë për një revistë akademike. Gjithashtu reagimi mund të jetë ndryshe kur atë ta ka kërkuar një profesor në formën e një detyre, dhe ndryshe kur lexojmë për arsye të tjera akademike.
Ky model leximi na sugjeron disa gjëra. Është e qartë se kur kemi përpara një tekst të vështirë, do të keni nevojë ta lexoni më shumë se një herë. Dhe nëse mendoni se një shkrim vlen të lexohet disa herë është mirë që të përdoren forma të ndryshme leximi, dhe jo të punohet fjalë për djalë me tekstin. Duke qenë se keni bërë nënvizime gjatë leximit të parë, mund t’i riktheni në mënyrë selektive, duke u përqendruar në ato pjesë që duken më të vështira apo të ngatërruara, duke i vendosur pjesët e ndryshme të argumentit në raport me njëra-tjetrën duke punuar me ato pjesë që kanë nevojë për më shumë punë.
Një tipar tjetër i këtij modeli është se këto lexime të shumëfishta do të mbivendosen. Ndërsa lexoni për të gjetur kontekstin, do të lexoni me më shumë vëmendje e saktësi. Kur të reagoni ndaj asaj që keni lexuar me shkrim do ta gjeni veten duke iu rikthyer pjesëve të ndryshme për të sqaruar se si e keni kuptuar herën e parë. Ndërsa bëni një vlerësim kritik, do ta kuptoni se të kuptuarit tuaj është zgjeruar dhe pasuruar. Ashtu si edhe procesi i të shkruarit, edhe leximi i sofistikuar është ripërtëritës: një lexues i mirë vazhdon t’i rikthehet tekstit në kërkim të një kontrolli më të plotë të ideve.
Së fundi, ky model sugjeron se lloje të ndryshme shkrimi mund të përmirësojnë të lexuarit dhe të mësuarit. (Shih: Klooster & Bloem, 113-114)

No comments: