Thonjëzat janë shenja grafike që përdoren për të dalluar fjalët që riprodhohen nga fjalët e autorit. Ato vendosen në fillim dhe në fund të ligjëratës së drejtë:
- Dikush kishte thënë duke qeshur: “Po rrufeja s’merr leje nga askush, kur i mbushet të qëllojë.”
- “Të kenë pasur gjë e të mos thonë?” – pyeste veten nëna.
a) gazeta, revista, libra etj.
Rregullisht lexoj gazetën “Epoka e re”.
Lexova romanin “Hijet” të Kadaresë.
b) rrugë, shëtitore, sheshe, institucione arsimore-kulturore, ndërmarrje etj.
Në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”...
Në rrugën “Adem Jashari”...
c) tituj, urdhra, medalje:
Adem Demaçit iu dha titulli “Qytetar nderi”...
Agroni mori urdhrin “Naim Frashëri”...
ç) markat e prodhimeve të ndryshme, si pije, cigare, makina etj.:
Ai pi cigare “Gent”. Makina “Benz” shkonte me shpejtësi.
d) parullat, thirrjet etj., kur jepen në tekst pas fjalëve të mësipërme:
- Thirrja “Atdheu në rrezik” ngriti në këmbë tërë popullin.
- Ata mbanin në duar parullën “Me ne fitojnë të gjithë”.
Shkrimi i fjalëve me apostrof
Apostrofi shënon rënien e zanores ë fundore të disa fjalëzave, kur pas saj vjen një zanore tjetër.
Pra, apostrofi përdoret:
a) pas trajtave të shkurtra më, të dhe pjesëzës së lidhores të, të ndjekura nga trajtat e shkurtra i, ia, u, ua, ju, jua dhe nga pjesëza u e formës joveprore të foljeve:
Agimi m’i dha librat.
Mua m’u dha rasti...
Duhet t’ia dërgoh letrën...
Do t’ju kujtoj...
Shkruhen pa apostrof trajtat përemërore ma, ta, sepse këtu nuk kemi rënie të një zanoreje, por shkrirje të dy zanoreve: ma (ta) dha librin.
b) pas përemrit pyetës ç dhe pas pjesëzës mohuese s:
- Ç’do këtu? Ç’kërkon?
- Ai s’erdhi. Ai s’bëri asgjë.
Mos harroni! përemrat çdo, çfarë shkruhen pa apostrof: çdo njeri, çdo ditë, çdokush e di vetë. Nuk e di çfarë po thua. Çfarëdo që po thua...
Shkrimi i datave
Kur shkruajmë një datë të plotë (dita, muaji, viti) me shifra arabe ose romake, pas shënimit të ditës dhe të muajit vihet pikë:
- 27.VII.2003 ose 27.07.2003 (dhe jo 27/VII/2003 as 27-07-2003) etj.
Kur në datat e plota muaji shkruhet me shkronja, nuk vihet asnjë shenjë midis ditës, muajit dhe vitit: 27 korrik 2003, 30 gusht 2003 etj.
No comments:
Post a Comment