Të shkruarit si formë komunikimi -5

I. Të shkruarit si formë komunikimi

"Shkrimi është një formë komunikimi dhe përfshin një dhënës, një marrës dhe një hapësirë bosh në mes, e cila duhet mbushur."
Por kur ulesh për të shkruar, kjo hapësirë bosh shpesh të duket jashtëzakonisht e madhe dhe e vështirë për t'u mbushur.
Gjatë komunikimit me shkrim ne kemi vetëm një lëndë të parë, fjalët, dhe vetëm një ndihmës për t'i organizuar ato në mënyrë të logjikshme, pikësimin.
Nuk mund të përdorim as tonin e zërit, as buzëqeshje e ngërdheshje, as shkelje syri a ngrysje vetullash, as lëvizje duarsh a koke, siç bëjmë shpesh në mënyrë të pavetëdijshme kur flasim.
Ndodh rëndom që, përveç mesazheve të shprehura përmes fjalëve, na duhet të hedhim në letër edhe kuptimet e shprehura me anë të këtyre gjesteve të vogla.
Kushdo që shkruan duhet të dijë të shprehet saktë dhe qartë në letër dhe pa ndihmën e tyre.





Të shkruarit dhe të folurit

...sikur gjuha e folur dhe e shkruar të ishin njëlloj, do të ishte... e padurueshme: po të flisnim siç shkruajmë, nuk do të na dëgjonte njeri; po të shkruanim siç flasim, nuk do të na lexonte njeri. Gjuha e folur dhe e shkruar nuk duhet të jenë shumë afër njëra-tjetrës, ashtu siç nuk duhet të jenë edhe shumë larg.
Thomas S. Eliot

Të shkruarit dhe të folurit kanë të njëjtën lëndë të përbashkët, gjuhën dhe të njëjtin qëllim të përbashkët: komunikimin e ideve, të  informacionit dhe të ndjenjave.
Por ata dallojnë nga njëri-tjetri në disa drejtime, më kryesorët prej tyre janë:

1. Kur shkruajmë, mendimet shprehen me fjali të plota, organizimi i të cilave bëhet me anë të elementeve gjuhësore dhe stilistike si drejtshkrimi, pikësimi, paragrafët dhe germat e mëdha.
Kurse në të folur shpesh shprehemi me grupe fjalësh dhe fjali të paplota që organizohen logjikisht me anë të intonacionit dhe mbështeten fuqimisht nga gjestet.

2. Gjuha e folur dëgjohet; gjuha e shkruar lexohet.
Në gjuhën e folur dëgjuesi është i pranishëm dhe mund të kërkojë sqarime; në gjuhën e shkruar, shkruesi duhet ta përfytyrojë lexuesin dhe të parashikojë nevojat dhe interesat e tij për t'i dhënë gjithë informacionin e duhur.

3. Të shkruarit është forma më e përshtatshme për komunikim zyrtar; ai përdoret për të dokumentuar ngjarje të rëndësishme dhe serioze të jetës dhe të historisë njerëzore. Testamentet shkruhen, po kështu edhe raportet financiare, politikat qeverisëse, dokumentet ligjore. Kurse gjuha e folur është përgjithësisht jozyrtare për nga natyra dhe më e shpejtë në të gjitha rastet kur "hekuri duhet rrahur sa është i nxehtë".
Deklaratat e dashurisë, dëshirat, mesazhet fetare janë më bindëse kur shprehen me anë të gjuhës së folur.

4. Gjuha e folur, për nga vetë natyra, është kalimtare po nuk u regjistrua, humbet, ndërsa gjuha e shkruar mbetet në vite (madje edhe në shekuj).

5. Të shkruari ka përparësinë e faktorit kohë.
Shkruesi ka kohë të përgatitet, ta shikojë, ta korrigjojë dhe ta rishikojë disa herë shkrimin e tij, derisa të arrijë një përmbajtje dhe formë e dëshiruar.
Kurse në të folur njeriu jo gjithnjë ka kohë të përgatitet dhe duhet ta ndërtojë komunikimin në çast.

Me gjithë dallimet e paraqitura më lart, ka raste kur të shkruarit dhe të folurit bartin tipare të dukshme të njëri-tjetrit.
Një fjalim solemn i mbajtur nga një kryetar shteti, ndonëse pa letër, është i menduar dhe i peshuar mirë dhe shumë më zyrtar në ton sesa disa forma të shkrimit, si për shembull letrat miqësore.
Po kështu një drejtues emisioni në radio duhet të komunikojë me dëgjues të panjohur, njësoj si një shkrimtar që shkruan një tregim për lexues të panjohur.
Nga ana tjetër, forma më të reja të komunikimit me shkrim në internet (forumet, i ashtuquajturi chat, apo shërbimet messenger) dhe me mesazhe telefonike, i kanë zbehur mjaft vijat ndarëse midis të shkruarit dhe të folurit.



Njihe lexuesin tënd!

Shkrimet tona shpesh u drejtohen njerëzve të panjohur, për shembull, kur shkruajmë një letër-kërkesë për punë, apo një vëllim me tregime.
Por si kur shkruajmë, ashtu edhe kur bisedojmë, komunikimi është shumë më i lehtë kur e dimë se me kë flasim dhe kujt i drejtohemi.
Ndaj edhe shprehja "njihe lexuesin tënd" është një nga parimet më të njohura të shkrimit.
Edhe kur nuk di asgjë për lexuesin tënd, përpiqu të mësosh diçka, ose përpiqu ta marrësh me mend se si mund të jetë.
Kur nuk ke asnjë mundësi për ta njohur, përfytyroje veten në vend të lexuesit: Si do të reagoje po të të binte në dorë një shkrim si ky që po shkruan ti?

Mesazhi duhet përshtatur ndaj personit të cilit i dërgohet. Sigurisht që një letër drejtuar presidentit të shtetit nuk ka si të jetë njësoj me një letër drejtuar një drejtori shkolle.
Po kështu, duhet marrë parasysh edhe sa kohë mund t'i kushtojë lexuesi shkrimit tuaj.
Një shok a shoqe mund ta presë me padurim letrën tuaj të gjatë - sa më e gjatë aq më mirë - e t'i lexojë me nge gjithë 'thashethemet' e fundit.
Kurse shefi i zyrës ku punoni, sigurisht që nuk do të ketë kohë për histori të gjata.

Rregulli i artë është: shkruaj qartë dhe shkurt.
Por çfarë do të thotë të shkruash qartë?
Kjo varet nga rrethanat.
Një artikull i shkruar me gjuhë shkencore për një revistë shkencore mund të jetë më se i qartë për të gjithë studiuesit e asaj fushe, por krejt i pakuptueshëm për njeriun e zakonshëm.
Ose përshkrimi i një dukurie natyrore që kuptohet me lehtësi nga një i rritur, mund të mos jetë aspak i qartë për një fëmijë.

Të shkruarit qartë dhe shkurt është mbi të gjitha një shprehje respekti e shkruesit për lexuesin, sidomos kur ky i fundit nuk ka kohë të tepërt.
Është e famshme fjalia e filozofit francez Paskal në një prej letrave të tij: "E kam bërë këtë letër më të gjatë se zakonisht, sepse nuk kisha kohë ta bëja më të shkurtër."
Nuk është aspak paradoks. Është shprehje e përmbledhur e së vërtetës së njohur se të shkruarit kalon përmes një procesi të gjatë të përgatitjes, të menduarit për atë që do të shkruash, të renditjes së ideve dhe fazave të ndryshme të hedhjes së këtyre ideve në letër deri në formën përfundimtare.

No comments: