F O L J A -4

F O L J A

-Folja ka një sistem të pasur trajtash gramatikore, me anën e të cilave shprehen kuptime të tilla si kuptimi i diatezës, i mënyrës, i kohës dhe i vetës.
Folje kalimtare dhe jokalimtare
-Të gjitha foljet sipas mundësisë që kanë për të marrë ose jo një kundrinë të drejtë ndahen në kalimtare dhe jokalimtare.
Folje kalimtare janë ato që mund të marrin një kundrinë të drejtë, e cila shprehet zakonisht me një emër a përemër në rasën kallëzore pa parafjalë, p.sh..: tejkaloj planin, hap dritaren, shkruaj një letër, e pashë, nuk të njoh etj.
Folje jokalimtare janë ato që nuk mund të marrin ndonjë kundrinë të drejtë, p.sh.,: dal, eci, fle, rri, rroj, shkoj, vrapoj etj.
-cilësimi i një foljeje si kalimtare ose jokalimtare varet në shumë raste nga kuptimi leksikor që ka ajo në fjalinë ku është përdorur, p. sh.:
kalimtare jokalimtare
e fjeta mendjen fjeta shumë
humba çelësin humba në gjumë
kaloj klasën kaloj rrugës
shkoj perin në gjilpërë shkoj në stadium
thërres shokët thërres fort etj.
......................................................................................................

Diateza e foljes
-Diateza shpreh marrëdhënien midis veprimit të emërtuar nga folja dhe kryefjalës.
-folja ka tri diateza: veprore, pësore dhe vetvetore.
-Janë dy palë forma: forma e diatezës veprore ose forma veprore, p. sh.: laj, dëmtoj, mendova, kam veshur etj. dhe forma e diatezave joveprore (e pësores dhe e vetvetores) ose  forma joveprore, p. sh.: lahem, dëmtohem, z mendova, jam veshur.
-mund të ndryshojnë sipas diatezave vetëm foljet kalimtare, të cilat përdoren si në formën veprore, ashtu edhe në formën pësore.
-foljet jokalimtare nuk kanë diatezë... (shih f. 101, GJLSHGJ)
.............................................................................
Mënyrat e foljes
-Me anë të mënyrës shprehet lidhja në mes veprimit që shënon folja, dhe realitetit objektiv.
-këtë lidhje e vendos folësi.
-mund të paraqesë një veprim si real, p.sh.: punoj, shkruaj,  ose, përkundrazi, si të mundshëm, të dëshirueshëm, të detyrueshëm etj., p. sh.:  të punoj, të shkruaj, punofsha, shkruaj! etj.
Sipas kuptimeve që shprehin, dhe formave gramatikore përkatëse, dallohen gjashtë mënyra të foljes:
mënyra dëftore, p.sh.: kam, mësoj, marr etj.,
    “      lidhore, p.sh.,: të kem, të mësoj, të marr  etj.,
    “        kushtore, p.sh.: do të kisha, do të mësoja, do të merrja etj.
    “        habitore, p.sh.: paskam, mësuakam, marrkam etj.
    “        dëshirore, p.sh.: paça, mësofsha, marrsha etj.,
    “        urdhërore, p.sh.: ki, mëso, merr etj.
   Veç këtyre mënyrave ka edhe tri trajta foljore të pashtjelluara (këto trajta quhen të pashtjelluara, sepse ato nuk ndryshojnë sipas vetës dhe numrit).
pjesorja: pasur, mësuar, marrë etj.,
paskajorja: për të pasur, për të mësuar, për të marrë etj.
përcjellorja: duke pasur, duke mësuar, duke marrë etj.

Në këto trajta nuk shprehet qëndrimi i folësit ndaj veprimit të foljes, prandaj ato nuk merren si mënyra.

Koha, veta dhe numri i foljes
-Folja ka tri kohë: të tashmen, të shkuarën dhe të ardhshmen.
Koha e tashme tregon se veprimi është kryer në çastin kur flasim, p.sh.: shkruaj, dëgjoj etj.
Koha e shkuar tregon se veprimi është kryer para çastit kur flasim, dhe ka pesë forma, që janë:
1)E pakryera, p.sh.: shkruaja, dëgjoja;
2)E kryera e thjeshtë – shkrova, dëgjova,
3)E kryera – kam shkruar, kam dëgjuar,
4)E kryera e plotë – kisha shkruar, kisha dëgjuar,
5)E kryera  e tejshkuar – pata shkruar, pata dëgjuar.
Këto kohë nuk i kanë të gjitha mënyrat, të gjitha i ka vetëm mënyra dëftore.

Gjatë zgjedhimit folja ndryshon edhe në vetë e në numër: vetat janë tri e numri dy.

njëjës shumës
veta I (unë) punoj (ne) punojmë
veta II (ti) punon (ju) punoni
veta III (ai, ajo) punon (ata, ato) punojnë

FOLJET kam e jam
-përdoren edhe si folje me kuptim të pavarur, p.sh., Sot kam shumë punë; Kjo çështje ka shumë rëndësi; Vjet në verë qeshë në Pogradec; Mbasdite do të jem në shtëpi etj., edhe si folje ndihmëse, për të formuar kohët e përbëra të foljeve të tjera, p.sh.,: kam punuar, kisha punuar, jam menduar, isha menduar etj.

Zgjedhimi – shih. f. 104

Ndarja e foljeve në zgjedhime
-foljet ndahen në tri zgjedhime:
Zgjedhimi i parë përfshin foljet e tipit laj, gjej, pëlqej, punoj, shkruaj, ziej, lyej etj., d.m.th. folje me temë (temë nga pikëpamja morfologjike quhet ajo pjesë e fjalës që mbetet po të heqim ,baresën, p.sh. tema e foljeve laj, punoj, shkruaj, ziej, lyej është la-, puno-, shkrua-, zie-, pye-. Një folje mund të ketë tema të ndryshme në trajta kohore të ndryshme (p.sh. heq, por hoq-a). Këtu është fjala për temën e foljes në kohën e tashme.) më zanore, të cilat në vetën e parë njëjës të kohës së tashme marrin mbaresën –j.
Zgjedhimi i dytë përfshin foljet e tipit hap, mbyll, kap, lidh, rrit, vras, shes etj., d.m.th. folje me temë më bashkëtingëllore, të cilat në numrin njëjës, në të tria vetat nuk marrin asnjë mbaresë (unë, ti, ai) hap.
(Zgjedhimi i parë dhe i dytë ndahen në klasa e nënklasa... f. 108)

Zgjedhimi i tretë përfshin një numër të kufizuar foljesh, tema e të cilave del më zanore, por ndryshe nga foljet e zgjedhimit të parë, ato të tria vetat e numrit njëjës nuk kanë asnjë mbaresë, p.sh.: (unë, ti, ai) pi, fle, di, lë, nxë, përzë, shpie, shtie  etj.

No comments: